LEKSIONI I TETË

Agjërimi Bigu

Disa njerëz kanë ngritur çështjen e agjërimit bigu. Ekziston ky fenomen i quajtur agjërim bigu. Jo vetëm që ekziston në komunitetin e kultivuesve, por e kanë provuar edhe shumë njerëz në shoqëri. Disa njerëz nuk hanë apo pijnë për disa vjet apo për më shumë se një dhjetëvjeçar, megjithatë ata jetojnë shumë mirë. Ka njerëz që flasin për bigun sikur të ishte tregues i një niveli të caktuar, ndërsa të tjerë e marrin si shenjë të pastrimit të trupit. E akoma të tjerë pretendojnë se është pjesë e proçesit të kultivimit të niveleve të larta.

Në fakt, nuk është asnjë nga këto. Çfarë është atëhere? Bigu në fakt i referohet një metode kultivimi të veçantë në një ambjent special. Në cilat kushte përdoret ai? Në Kinën e lashtë para se të themeloheshin fetë, shumë praktikues përdornin formën e praktikës sekrete apo kultivimin e vetmuar në male të largëta apo shpella shumë larg nga vendbanimet e njerëzve. Me të zgjedhur këtë mënyrë, dilte problemi i furnizimit me ushqim. Nëqoftëse personi nuk do të përdorte metodën e bigut, ai nuk do të mund të praktikonte aspak kultivim dhe do të vdiste atje nga uria e etja. Unë shkova nga qyteti Chongqing deri në qytetin Wuhan për t’u mësuar njerëzve Ligjin dhe mora një anije që shkonte në lindje mbi lumin Jance. Pashë disa shpella në të dy anët e Tre Grykave në mes të maleve; edhe shumë male të tjera të mirënjohura i kanë ato. Në të kaluarën, pasi ngjitej në shpellë me ndihmën e një litari, një praktikues do e priste litarin për të praktikuar në shpellë. Nëqoftëse ky person nuk do kishte sukses në kultivim, ai do të vdiste brenda. Pa ushqim apo ujë, vetëm në këto kushte shumë të veçanta, ai do të zgjidhte këtë metodë kultivimi të veçantë.

Shumë praktika kanë kaluar një proçes trashëgimie të tillë dhe kështu ato përfshijnë bigun. Plot praktika nuk kanë bigu. Sot, shumica e praktikave që janë bërë publike nuk përfshijnë bigu. Kemi thënë se personi duhet të praktikojë vetëm një praktikë dhe se ju nuk duhet të bëni çfarëdo gjëje që dëshironi. Ju mund të mendoni se bigu është i mirë dhe mund ta bëni atë. Për çfarë e doni ju atë? Disa njerëz mendojne se është gjë e mirë dhe bëhen kureshtarë dhe mbase ata mendojnë që aftësitë e tyre janë goxha të mira aq sa të mburren me to. Ka njerëz me të gjitha llojet e mentaliteteve. Kur përdoret kjo metodë kultivuese, personi duhet të konsumojë energjinë e vet për të mbajtur trupin fizik. Prandaj, nuk ja vlen. Ju e dini se veçanërisht pas themelimit të feve, personi është furnizuar me ushqim dhe çaj gjatë periudhës së meditimit në kllapi apo kultivimit të vetmuar në një tempull. Pra kjo çështje nuk ekziston. Veçanërisht ne praktikojmë kultivim në mes të shoqërisë njerëzore dhe ju nuk duhet të përdorni aspak këtë metodë. Për më tepër nëqoftëse shkolla juaj e praktikës nuk e përfshin atë, ju nuk duhet ta bëni atë sipas dëshirës. Nëqoftëse me të vërtetë ju dëshironi të praktikoni bigu, shko e bëjeni atëhere. Me sa di unë, zakonisht kur një mjeshtër mëson një praktikë niveli të lartë dhe udhëheq një dishepull me vërtetësi dhe nëqoftëse ajo shkollë praktike e përmban bigun, ky fenomen mund të ndodhë. Megjithatë një person nuk mund ta përhapë atë në publik; ai në mënyrë tipike do ta merrte dishepullin me vete ta praktikonin atë fshehurazi apo vetëm.

Tani kanë dalë gjithashtu mjeshtër qigongu që mësojnë bigu. A ka pasur bigu sukses? Në fund të fundit, aspak. Kush ka pasur sukses me të? Kam parë shumë njerëz të shtruar në spitale dhe jeta e shumë njerëzve është vënë në rrezik. Atëhere pse ndodh kjo? A nuk ekzistoka ky fenomeni bigu? Po ekziston. Megjithatë, duhet vënë në dukje një pikë: Askujt nuk i lejohet të prishë sipas dëshirës gjendjen e shoqërisë sonë njerëzore—nuk lejohet t’i ndërhyhet asaj në këtë mënyrë. Le të mos përmendim pastaj sa njerez në gjithë vendin nuk do kishin nevojë të hanin dhe pinin. Unë do të thoja se do ishte shumë kollaj sikur njerëzit në zonat e Changchun të mos kishin nevojë të hanin e pinin! Nuk do të kishim nevojë të merakoseshim për të gatuar. Bujqit lodhen kaq shumë në fushë dhe tani askush nuk do të kishte nevojë të hante. Kjo me të vërtetë do t’i lehtësonte kaq shumë gjërat sepse njerëzit vetëm do të punonin pa ju dashur të hanin. Si mund të lejohej kjo gjë? A do të ishte kjo shoqëri njerëzore? Është plotësisht e ndaluar sepse një ndërhyrje e një shkalle kaq të gjërë në shoqërinë e zakonshme njerëzore nuk lejohet.

Kur disa mjeshtër qigongu u mësojnë njerëzve bigu, jeta e shumë njerëzve vihet në rrezik. Disa njerëz janë thjesht të dhënë pas bigut, megjithatë dëshirat e tyre njerëzore nuk janë braktisur—ka plot dëshira të tilla njerëzore pa u hequr. Goja e një personi të tillë do të lëngëzohej kur ai të shikonte ndonjë ushqim të shijshëm. Sapo i lind kjo dëshirë, ai nuk e kontrollon dot atë dhe nuk do i durohet sa të hajë ushqim. Sapo i hapet oreksi, ai do dojë të hajë; përndryshe ai do të ndjehet i uritur. Megjithatë, ai do të vjellë po të hajë. Ngaqë nuk han dot, ai do të bëhet nervoz dhe frikësohet shumë. Shumë njerëz shtrohen në spital dhe në fakt jeta e shumë vetëve vihet në rrezik. Ka njerëz që më kërkojnë mua dhe më kërkojnë të ndreq këto raste të vështira por unë nuk dua t’i marr ato përsipër. Disa mjeshtër qigongu thjesht bëjnë gjëra pa përgjegjësi. Askush nuk dëshiron të merret me këto probleme për ta.

Për më tepër, nëqoftëse ju keni probleme kur praktikoni bigu, a nuk vjen kjo nga përndjekja juaj e qëllimshme? Ne kemi thënë se ai ekziston, por ai nuk është e ashtuquajtura “gjendje e nivelit të lartë” apo të ashtuquajturit “reaksione speciale”. Është vetëm një metodë praktike e përdorur në kushte të veçanta kështu nuk mund të përhapet gjërësisht. Një numër njerëzish shkojnë pas bigut dhe e klasifikojnë atë si të ashtuqujturin bigu apo gjysmë-bigu dhe madje e radhisin atë në nivele të ndryshme. Disa njerëz pretendojnë se ata vetëm kanë nevojë të pinë ujë, ndërsa të tjerë pretendojnë se vetëm kanë nevojë të hanë fruta. Të gjitha këto janë bigu të rreme dhe me kalimin e kohës, të gjitha janë të destinuara të dështojnë. Një praktikues i vërtetë do të qëndrojë në shpellë pa pirë e ngrënë—ky është bigu i vërtetë.

Vjedhja e Qi

Kur flasim për vjedhjen e qi-së, disa njerëz do të zbehen nga tmerri dhe ata do të ishin shumë të frikësuar për ta provuar qigongun. Për shkak të thashethemeve mbi fenomenin e marrosjes nga kultivimi, vjelljes së qi-së e të tjera, në komunitetin e kultivuesve shumë njerëz janë tepër të frikësuar që të praktikojnë qigong apo t’i afrohen atij. Po të mos ishin këto thashetheme, mbase më shumë njerëz do të praktikonin qigong. Megjithatë ka mjeshtër qigongu me karakter të ulët të cilët i mësojnë këto gjëra me qëllim. Kjo sjell shumë rrëmujë në komunitetin e kultivuesve. Në fakt nuk është aq e tmerrshme sa thuhet. Ne kemi thënë se qi është vetëm qi, megjithëse ju mund ta quani “përzjerje qi-je fillestare” e kjo qi apo ajo qi. Për aq kohë sa trupi i një personi ka qi, ai është në nivelin e mbajtjes së trupit të shëndetshëm e në formë dhe nuk është akoma praktikues. Për aq kohë sa ai ka qi, do të thotë se trupi i tij nuk është pastruar thellësisht dhe prandaj ka akoma qi me bakterie—kjo është e sigurt. Personi që vjedh qi është gjithashtu në nivelin e qi-së. Nga praktikuesit tanë, kush do ta donte atë qi të papastër? Qi-ja në trupin e njeriut që nuk praktikon është mjaf e papastër, megjithëse mund të bëhet më e ndritshme nëpërmjet praktikës së qigongut. Kështu vendi i një sëmundjeje do të ketë një grumbull shumë të madh substance të zezë me densitet të lartë. Duke vazhduar praktikën, nëqoftëse personi me të vërtetë e ka shëruar sëmundjen dhe është bërë i shëndoshë, qi-ja e tij do të kthehet gradualisht në të verdhë. Po të vazhdojë të praktikojë më tutje, sëmundja do të shërohet me të vërtetë dhe po ashtu dhe qi-ja e tij do të zhduket. Ai do të hyjë në fazën e Trupit Qumësht të Bardhë.

Kjo do të thotë se nëqoftëse dikush ka qi, ai ka akoma sëmundje. Ne jemi praktikues—për çfarë e duam ne qi-në në praktikë? Trupat tanë duhet të pastrohen. Pse do e donim ne atë qi të papastër? Në asnjë mënyrë jo. Një person që dëshiron qi është akoma në nivelin e qi-së. Duke qënë në nivelin e qi-së, ai nuk mund të dallojë qi-në e mirë nga qi-ja e keqe, sepse ai nuk e ka akoma këtë aftësi. Qi-ja e vërtetë në dantian të trupit tuaj nuk mund të merret prej tij sepse ajo qi primordiale mund të hiqet vetëm nga dikush me aftësi niveli të lartë. Përsa i përket qi-së së papastër në trupin tuaj, lëreni ta vjedhë—nuk është ndonjë gjë e madhe. Gjatë praktikës, nëqoftëse unë dua ta mbush veten me qi, vetëm me një mendim dhe barku im do të mbushet me qi menjëherë.

Shkolla Tao mëson ushtrimin në këmbë të tianzi zhuang ndërsa Shkolla Buddhës mëson hedhjen e qi-së mbi majën e kokës. Ka plot qi në univers që ju ta mbushni veten çdo ditë. Me pikën laogong dhe pikën baihui të hapur, ju mund ta mbushni veten me qi me anë të duarve ndërsa fokusoheni në dantian. Ju do të mbusheni plot me qi brënda pak kohe. Pamvarësisht sa plot jeni mbushur me qi, ç’vlerë ka ajo? Kur disa njerëz kanë praktikuar shumë qi, ata i ndjejnë gishtërinjtë dhe trupat si të enjtur. Kur të tjerët i afrohen një personi si ky, ata do të ndjejnë një fushë rreth tij. “Uau, ti ke praktikuar kaq mirë.” Unë do të thoja se nuk është asgjë. Ku e ke ti gongun? Është akoma praktikë në qi, e cila nuk mund të zëvendësojë gongun pamvarësisht sa qi të ketë ai. Qëllimi i praktikës në qi është të zëvëndësojë qi-në brënda trupit të personit me qi të mirë nga jashtë dhe të pastrojë trupin. Pse grumbullon personi qi? Kur ti je në atë nivel dhe nuk ke kaluar përmes ndryshimesh themelore, qi nuk është akoma gong. Pamvarësisht sa qi ke vjedhur, ti nuk je gjë tjetër veçse një thes me qi. Për çfarë vlen ai? Ai nuk është transformuar akoma në materie të energjisë së lartë. Pra nga çfarë ke ti frikë? Lëre të vjedhë qi nëqoftëse ai don ta bëjë këtë.

Mendojeni pak të gjithë: Nëqoftëse trupi juaj ka qi, ai ka sëmundje. Atëhere, kur personi vjedh qi-në tënde, a nuk vjedh ai dhe qi-në me bakterie? Ai nuk mund të dallojë njërën nga tjetra, sepse një që don qi është gjithashtu në nivelin e qi-së dhe nuk ka ndonjë aftësi. Një person që ka gong nuk dëshiron qi—kjo është e sigurtë. Po nuk e besuat, mund të kryejmë një eksperiment. Nëqoftëse një person me të vërtetë dëshiron të vjedhë qi-në tënde, ju mund të qëndroni aty dhe ta lejoni atë ta vjedhë qi-në. Ju mund të përqëndroni mëndjen tuaj në mbushjen e trupit me qi nga universi këtu, ndërsa ai vjedh qi-në prapa jush. Ju do e shikoni sa pazar i mirë që është sepse do t’ju ndihmojë të përshpejtoni pastrimin e trupit tuaj dhe juve nuk do t’ju duhet të mbushni e zbrazni qi nga trupi juaj. Ngaqë ai ka një qëllim të keq dhe vjedh diçka nga të tjerët, megjithëse ka vjedhur diçka jo të mirë, ai prapseprap ka kryer një veprim që e bën të humbë virtyt. Prandaj, ai do t’ju japë juve virtyt. Kjo formon një sistem qarkullimi ku ndërsa ai merr qi-në tënde këtu, ai të jep ty virtyt atje. Personi që vjedh qi nuk e din këtë—po ta dinte, ai nuk do të guxonte ta bënte atë!

Të gjithë ata persona që vjedhin qi kanë fytyra verdhacake si të sëmurë dhe janë të gjithë ashtu. Shumë njerëz që shkojnë në parqe për të praktikuar qigong shpresojnë të shërojnë sëmundjet e tyre dhe ata kanë nga të gjitha llojet e sëmundjeve. Kur dikush po shëron një sëmundje, ai duhet të përpiqet të shkarkojë qi-në me bakterie. Ndërsa personi që vjedh qi nuk do të zbrazë qi por do të mbledhë të gjitha llojet e qi-ve me bakterie në gjithë trupin e tij. Edhe brenda trupit ai do bëhet i gjithi i zi. Ndërsa ai gjithmonë humb virtyt, pamja e tij bëhet e tëra e zezë. Me një fushë të madhe karme dhe humbje të madhe virtyti, ai do të nxihet brenda e jashtë. Sikur ta dinte personi që vjedh qi se po pësonte këtë ndryshim dhe të kuptonte se ai po i jepte të tjerëve virtyt duke bërë këtë budallallëk, ai nuk do ta bënte kurrsesi këtë.

Disa njerëz e kanë fryrë qi-në tej mase: “Kur unë lëshoj qi, ti mund ta marrësh atë dhe në Amerikë.” “Ti mund të presësh në anën tjetër të murit dhe mund të marrësh qi-në që lëshoj unë.” Disa njerëz janë shumë të ndjeshëm dhe mund ta ndjejnë qi-në kur lëshohet. Por qi nuk udhëton në këtë dimension. Ajo lëviz në një dimension tjetër ku nuk ka ndonjë mur. Pse nuk ndjeni gjë ju kur një mjeshtër qigongu lëshon qi në një vend të hapur? Ndodhet një ndarës atje në dimensionin tjetër. Kështu, qi-ja nuk ka kaq fuqi penetruese sa e kanë përshkruar njerëzit.

Ai që me të vërtetë ka efekt është gongu. Kur një praktikues mund të lëshojë gong, ai apo ajo nuk ka më qi dhe mund të rrezatojë lëndë të një energjie të lartë e cila shihet si dritë nga Syri Qiellor. Kur arrin tek një person tjetër, e bën atë person të ndjejë ngrohtësi; mund të kontrollojë një njeri të zakonshëm. Megjithatë akoma nuk mund të arrijë plotësisht qëllimin e shërimit të sëmundjeve, sepse ka vetëm efekt kufizues. Në mënyrë që me të vërtetë të shërosh sëmundje, ti duhet të kesh aftësi supernormale. Ekziston një aftësi supernormale e veçantë për secilën sëmundje. Në një nivel shumë mikroskopik, secila pjesëzë mikroskopike e gongut merr pamjen tënde. Ai mund të njohë njerëzit dhe ka inteligjencë sepse është materie energjie të lartë. Nëqoftëse dikush e vjedh atë, si mund të qëndrojë atje? Nuk do të qëndrojë atje e nuk mund të vendoset atje, sepse nuk është pronë e atij person. Përsa i përket gjithë atyre praktikuesve të vërtetë, pasi ata zhvillojnë gong ata mbrohen nga mjeshtrit e tyre. Mjeshtri jot sheh çfarë bën ti. Kur ti përpiqesh të marrësh gjëra nga një person tjetër, as mjeshtri i atij personit nuk do ta lejojë këtë gjë.

Mbledhja e Qi-së

Në mësimin e praktikës kultivuese të niveleve të larta, vjedhja dhe mbledhja e qi-së nuk janë çështje që ne do të ndihmojmë të zgjidhim për secilin. Po flas për to sepse unë akoma kam për qëllim të vë në vend emrin e praktikës kultivuese dhe të kryej vepra të mira. Unë do t’i nxjerr në shesh këto fenomene kaq të këqija, të cilat askush nuk i ka diskutuar në të kaluarën. Unë dua që ju të gjithë t’i dini këto, kështu që disa njerëz mos të kryejnë vepra të këqija dhe kjo do të ndihmojë disa njerëz që nuk e dinë të vërtetën e qigongut e kanë gjithmonë frikë kur flasin për të.

Ka plot qi në univers. Disa njerëz flasin për qi qiellore yang dhe qi tokësore yin. Meqenëse edhe ti je një element i universit, ti mund të mbledhësh qi. Por disa njerëz nuk e mbledhin qi-në nga universi. Ata specializohen dhe i mësojnë njerëzit të mbledhin qi nga bimët. Ata madje dhe e kanë përmbledhur eksperiencën e tyre: Si dhe kur të mbledhësh këtë lloj qi-je, qi-ja e plepit është e bardhë, apo qi-ja e pishës është e verdhë. Disa gjithashtu pretendojnë: “Ishte një pemë para shtëpisë sonë. U tha sepse unë i mblodha qi-në.” Çfarë lloj aftësie është kjo? A nuk është ky një veprim i keq? Dihet nga të gjithë se kur ne praktikojmë me të vërtetë kultivim, ne duam mesazhe pozitive dhe t’i asimilohemi karakteristikës së universit. A nuk duhet të praktikoni ju Shan (Mirësi)? Në mënyrë që t’i asimilohet karakteristikës së universit, Zhen-Shan-Ren (Ndershmëri-Mirësi-Tolerancë), një individ duhet të praktikojë Shan. Nëqoftëse ti gjithmonë kryen vepra të këqija, si mund ta shtosh ti gongun? Si mund të shërohen sëmundjet e tua? A nuk është kjo e kundërta e asaj që duhet të bëjnë praktikuesit tanë? Kjo do të thotë gjithashtu të vrasësh jetë dhe të kryesh vepra të këqija! Dikush mund të thotë: “Sa më shumë që thua aq më të ekzagjeruara duken—ti e quajte vrasjen e kafshëve të vrasësh jetë dhe tani e quan dhe vrasjen e bimëve gjithashtu të vrasësh jetë.” Në fakt kështu është. Buddhizmi flet për samsarën. Ju mund të keni qënë ringjallur në bimë gjatë samsarës. Kështu thuhet në Buddhizëm. Këtu ne nuk e themi ashtu por ne ju themi se pemët janë gjithashtu gjallë. Jo vetëm që ato kanë jetë, por ato kanë dhe activitet mendor të një niveli të lartë.

Për shembull, është njeri në Amerikë i cili është specializuar në studime elektronike dhe jep mësime mbi përdorimin e poligrafit. Një ditë atij i lindi papritmas një ide. Ai ia vuri të dy elektrodat e poligrafit një luleje në vazo dhe i hodhi ujë rrënjëve të saj. Ai pa se gjilpëra e poligrafit vizatoi një hark. Ky hark ishte identik me atë të vizatuar kur truri njeriut prodhon një ngacmim të shkurtër apo gëzim. Në atë moment, ai u shtang. Si mundet që një bimë të ketë ndjenja? Ai për pak donte të ulërinte në rrugë: “Bimët kanë ndjenja!” I frymëzuar nga kjo ngjarje, ai e vazhdoi kërkimin në këtë fushë dhe kreu shumë eksperimente.

Një herë ai vendosi dy bimë bashkë dhe i kërkoi një prej studentëve të tij ta shtypte me këmbë njërën prej bimëve para tjetrës. Pastaj ai mori bimën tjetër në një dhomë dhe e lidhi tek poligrafi. Ai i kërkoi pesë studentëve të tij të hynin në dhomë me radhë nga jashtë. Bima nuk pati asnjë reagim kur katër studentët e parë hynë në dhomë. Kur studenti i pestë i cili kishte shkatërruar bimën tjetër hyri në dhomë, edhe para se t’i afrohej bimës, gjilpëra elektronike menjëherë vizatoi një hark që prodhohet vetëm kur një person është i frikësuar. Ai u shokua me të vërtetë! Kjo ngjarje nxjerr në pah një çështje të rëndësishme: Ne kemi besuar gjithmonë se njeriu është një jetë e nivelit të lartë me funksione ndjesie që mund të dallojnë gjërat dhe me një tru që mund të analizojë. Si mundkan bimët të dallojnë gjërat? A nuk tregon kjo se dhe ato kanë organe ndjesie? Në të kaluarën, nëqoftëse dikush do të thoshte se bimët kanë organe ndjesie, mëndje që mendojnë, ndjenja dhe mund të njohin njerëzit, ky person do të quhej supersticioz. Përveç këtyre, bimët duket se ja kanë kaluar njerëzve sot në disa aspekte.

Një ditë ai lidhi poligrafin tek një bimë dhe mendoi: “Çfarë eksperimenti të bëj? Po sikur t’i djeg gjethet me zjarr e të shikoj si do të reagojë.” Me këtë mendim, edhe përpara se të digjte gjethet, gjilpëra elektronike menjëherë vizatoi një hark të njejtë me atë që krijohet vetëm kur dikush thërret për ndihmë. Ky funksion super ndjesie që është quajtur telepati, është një funksion njerëzor i pazhvilluar dhe një aftësi e lindur. Por njerëzimi sot është në degjenerim. Që t’i rimerrni këto aftësi, ju duhet të praktikoni kultivim nga fillimi dhe të ktheheni në origjinë, në veten tuaj të vërtetë, në natyrën tuaj origjinale. E megjithatë bima i ka ato dhe din çfarë ke ti në mëndje. Duket tepër e pakonceptueshme, por ky ka qënë një eksperiment shkencor që ka ndodhur. Ai ka kryer eksperimente të ndryshme përfshirë testimin e aftësisë së kontrollit në distancë. Kur u publikuan, shkrimet e tij shkaktuan interes në gjithë botën.

Botanistët në vende të ndryshme përfshirë dhe ata në vendin tonë kanë filluar kërkimet e tyre në këtë fushë dhe kjo nuk konsiderohet më si diçka supersticioze. Dje unë thashë se ato që njerëzimi ynë ka dëshmuar, shpikur dhe zbuluar janë të mjaftueshme të ndryshojnë tekstet tona sot. Megjithatë për shkak të influencës së mentaliteteve konvencionale, njerëzit nuk duan t’i pranojnë ato. Dhe askush nuk po i organizon këto gjëra në mënyrë sistematike.

Në një park në verilindje, vura re se një grup pishash ishin tharë. Askush nuk e din çfarë lloj qigongu praktikonin disa njerëz aty: Ata rrokulliseshin mbi tokë dhe pastaj mblidhnin qi-në nga pemët me këmbë nga njëra anë dhe me duar nga ana tjetër. Menjëherë pas kësaj të gjitha pishat atje u zverdhën dhe u thanë. Ishe kjo që bënë ata një veprim i mirë apo i keq? Nga pikpamja e praktikuesve tanë, kjo është njësoj si të vrasësh jetë. Ti je praktikues. Kështu, në mënyrë që t’i asimilohesh gradualisht karakteristikës së universit dhe të heqësh ato gjërat e këqija që ke, ti duhet të bëhesh njeri i mirë. Edhe nga pikpamja e një njeriu të zakonshëm, ky ishte një veprim i dënueshëm. Është abuzim i pronës publike dhe prishje e gjelbërimit dhe ekuilibrit të sistemit ekologjik. Nuk është veprim i mirë ngado që ta marrësh. Ka plot qi në univers dhe ti mund të mbledhësh sa të duash. Disa njerëz kanë plot energji. Sapo praktikojnë në një nivel të caktuar, ata me të vërtetë mund të mbledhin qi-në e bimëve në një zonë të gjërë me një lëvizje të krahut. Megjithatë, ajo nuk është gjë tjetër veçse qi. Pamvarësisht sa një person mbledh nga ajo, ajo nuk vlen për asgjë. Kur disa njerëz shkojnë në park, ata nuk bëjnë gjë tjetër. Dikush pretendon: “Unë nuk kam nevojë të praktikoj qigong. Mjafton të mbledh qi kur eci rreth e rrotull dhe praktika time mbaron me kaq. Mjafton thjesht të marrësh qi.” Ata mendojnë se qi është gong. Kur njerëzit i afrohen këtij personi, ata do të ndjejnë se trupi i tij është i ftohtë. A nuk është qi-ja e bimëve prej natyre yin? Një praktikues duhet të ruajë ekuilibrin ndërmjet yin dhe yang. Megjithëse trupi i këtij personi vjen erë vaj pishe, ai mund të mendojë se po ecën mirë në praktikë.

Kush Praktikon Kultivim do të Marrë Gong

Çështja se kush praktikon gong dhe kush e merr gongun është shumë e rëndësishme. Kur më pyesin për avantazhet e Falun Dafës, unë u them se Falun Dafa mund të bëjë që gongu të kultivojë praktikuesit dhe kështu të shkurtojë kohën e praktikës. Kjo zgjidh problemin e mos pasjes kohë për praktikë dhe bën të mundur që të kultivosh në mënyrë të vazhdueshme. Po ashtu praktika jonë është kultivim i vërtetë i mëndjes dhe i trupit. Trupat tanë fizikë do të pësojnë ndryshime të mëdha. Falun Dafa ka dhe një avantazh tjetër, më të madhin prej tyre, të cilin nuk e kam përmendur më parë. Vetëm sot do ta zbulojmë sepse ai ka lidhje me çështje madhore me rëndësi historike dhe ka goxha ndikim në komunitetin e kultivuesve. Askush në histori nuk ka guxuar ta zbulojë atë dhe as që i lejohej kujt ta bënte këtë. Megjithatë unë nuk kam rrugë tjetër veçse ta bëj atë të njohur.

Disa dishepuj thonë: “Çdo fjali që thotë Mjeshtri Li Hongzhi është sekret qiellor dhe zbulim i sekreteve të qiellit.” Ne po i ngrejmë njerëzit me të vërtetë në nivele të larta që do të thotë t’i shpëtosh ata. Ne jemi përgjegjës ndaj secilit dhe ky është një detyrim që ne jemi të aftë ta mbajmë. Kështu, nuk është zbulim i sekreteve qiellore. Nëqoftëse dikush flet për të pa përgjegjësi, atëhere do të thotë të nxjerrësh sekrete qiellore. Sot do e bëjmë të njohur çështjen se kush praktikon gong dhe kush merr gong. Sipas mendimit tim, të gjitha praktikat sot, duke përfshirë gjatë gjithë historisë praktikat në Shkollën e Buddhës, Shkollën Tao dhe Shkollën Qimen, kanë kultivuar Shpirtin Ndihmës të personit dhe ishte Shpirti Ndihmës ai që e merrte gongun. Shpirti Kryesor që po përmendim këtu është mëndja e personit. Një person duhet të jetë i vetëdijshëm për çfarë po mendon apo bën—kjo është vetja juaj reale. Por ju nuk e dini aspak çfarë bën Shpirti juaj Ndihmës. Megjithëse ti dhe ai keni lindur në të njejtën kohë, me të njejtin emër, njejtën pamje dhe kontrolloni të njejtin trup, ai nuk është ti në kuptimin e ngushtë të fjalës.

Ekziston një parim në univers: Kushdo që humb fiton. Kushdo që praktikon kultivim merr gong. Gjatë gjithë historisë, të gjitha praktikat i kanë mësuar njerëzit të bien në kllapi gjatë praktikës dhe që të mos mendojnë për asgjë. Atëhere personi do të bjerë në një kllapi të thellë dhe së fundi do të humbë vetëdijen plotësisht. Disa njerëz rrinë ulur në meditim për tre orë sikur të kishte kaluar vetëm një sekondë. Të tjerët mund ta admirojnë aftësinë e këtij personi për të ndenjur në kllapi. A praktikoi ai në fakt? Ai vetë nuk e din këtë aspak. Në veçanti Shkolla Tao mëson se shishen vdes dhe Shpirti Primordial lind. Çfarë ata quajnë “shishen” ne e quajmë “Shpirti Kryesor” dhe “Shpirti Primordial” i referohet asaj që ne quajmë “Shpirti Ndihmës”. Nëqoftëse Shpirti juaj Kryesor vdes, ti do të vdesësh me të vërtetë dhe ti nuk do të kesh Shpirt Kryesor. Dikush nga një praktikë tjetër më tha: “Mësues, kur unë praktikoj, unë nuk jam në gjendje të njoh njeri në shtëpi.” Ndërsa një person tjetër më tha: “Unë nuk do të praktikoj si të tjerët të cilët e bëjnë atë herët në mëngjes dhe vonë në darkë. Pasi shkoj në shtëpi, unë shtrihem në një divan dhe dal jashtë vetes për të praktikuar. Ndërsa jam i shtrirë atje shoh veten duke praktikuar.” Mua mu duk kjo shumë e trishtueshme, por në të njejtën kohë nuk ishte e trishtueshme.

Pse ata shpëtojnë Shpirtin Ndihmës? Lu Dongbin bëri njëherë këtë deklaratë: “Më mirë të shpëtoj një kafshë sesa një njeri.” Me të vërtetë, është jashtëzakonisht e vështirë për njerëzit të arrijnë ndriçim shpirtëror ngaqë njerëzit janë të humbur në padijen e shoqërisë njerëzore. Me fitimet praktike përpara tyre, ata nuk mund të heqin dorë nga dëshirat. Po nuk e besuat, me të mbaruar kjo klasë, disa njerëz do të dalin nga ky auditor si njerëz të zakonshëm përsëri. Nëqoftëse dikush i ofendon apo përplaset me ta, ata nuk do e durojnë dot. Pas një periudhe kohe, ata nuk do të sillen aspak si kultivues. Shumë Taoistë në histori patën kuptuar këtë pikë: “Njerëzit janë shumë të vështirë për tu shpëtuar sepse Shpirti i tyre Kryesor është jashtëzakonisht i humbur. Disa njerëz kanë cilësi të kuptuari të mirë dhe do ta kuptojnë diçka menjëherë me një sugjerim. Disa njerëz nuk do t’ju besojnë pamvarësisht çfarë ju thoni. Ata mendojnë se po tregoni përralla me bisht. Ne po flasim kaq shumë për kultivimin e karakterit, e megjithatë ky person akoma sillet si më parë sapo është në mes të njerëzve. Ai mendon se përfitimet aktuale dhe të prekshme para tij janë praktike dhe ai do t’i shkojë atyre nga prapa; Ligji nga Mësuesi gjithashtu tingëllon i arsyeshëm, por nuk mund të ndiqet. Shpirti Kryesor njerëzor është më i vështiri për t’u shpëtuar, ndërsa Shpirti Ndihmës mund të shikojë skena në dimensione të tjera. Ata mendojnë për pasojë: “Pse duhet të shpëtoj Shpirtin tënd Kryesor? Shpirti jot Ndihmës është gjithashtu ti. A nuk është njësoj sikur të të shpëtoja ty? Është i njejtë me ty, prandaj kushdo që ta marrë do të jetë njësoj sikur ta kesh marrë ti.”

Më lejoni t’i përshkruaj në mënyrë më të detajuar metodat e praktikës së tyre. Nëqoftëse dikush ka aftësinë supernormale të shikimit në distancë, ai me siguri do të shihte këtë skenë: Kur ti ulesh në meditim, sapo futesh në kllapi, dikush me të njejtën pamje si tënden do të lërë menjëherë trupin tënd. Nëqoftëse ti përpiqesh t’i dallosh nga njëri tjetri, kush është vetja jote? Ti je ulur pikërisht këtu. Pasi ti shikon atë person të lërë trupin tënd, mjeshtri do ta marrë këtë person për të praktikuar kultivim në një dimension të transformuar nga mjeshtri. Ky mund të jetë në formën e një shoqërie të kaluar, shoqërie të sotme apo një shoqëri në një dimension tjetër. Personit do t’i mësohet praktika dhe do të kalojë përmes vështirësive të shumta për një apo dy orë çdo ditë. Kur personi kthehet nga praktika, ti zgjohesh nga kllapia. Kështu do të ndodhë për ata që mund të shikojnë.

Është akoma më për të ardhur keq nëqoftëse personi nuk mund të shikojë. Ky person zgjohet pas dy orësh ulur në kllapi duke mos ditur asgjë dhe me mëndje të turbullt. Si formë praktike, disa njerëz bien në gjumë për dy a tre orë dhe ja japin veten krejtësisht të tjerëve. Kjo bëhet me intervale me uljen në meditim për një periudhë të caktuar kohe çdo ditë. Një lloj tjetër përfundohet njëherazi. Ju të gjithë mund të keni dëgjuar për Boddhidarmën, i cili u ul para një muri për nëntë vjet. Në të kaluarën, ka pasur shumë murgj të cilët rrinin ulur për dekada të tëra. Në histori, rekordi për kohën më të gjatë të qëndrimit ulur është mbi nëntëdhjetë vjet. Disa madje kanë qëndruar më gjatë se kaq. Edhe me pluhur të trashë mbi qepalla dhe bar të mbirë mbi trupat e tyre, ata vazhdonin të qëndronin ulur. Edhe disa në Shkollën Tao e mësojnë këtë metodë. Veçanërisht disa praktika në Shkollën Qimen mësojnë gjumin si formë praktike. Një individ mund të flejë për dekada pa dalë nga gjendja e kllapisë dhe pa u zgjuar. Por kush ka praktikuar? Shpirti Ndihmës i personit ka dalë jashtë të praktikojë. Nëqoftëse është nga ata që shohin, ai do të shohë se mjeshtri e merr Shpirtin e tij Ndihmës për të bërë praktikë. Edhe Shpirti Ndihmës mund të ketë shumë karmë borxh dhe mjeshtri nuk ka aftësinë t’ja eliminojë të gjithë karmën. Prandaj, mjeshtri do t’i thotë atij: “Ti duhet të praktikosh mirë këtu. Unë do largohem dhe do kthehem pas pak. Ti më prit mua.”

Mjeshtri e din me saktësi çfarë do të ndodhë, por përsëri duhet ta bëjë në këtë mënyrë. Pastaj një djall do të vijë ta frikësojë personin apo do të transformohet në një bukuroshe që ta joshë atë—do të ndodhin lloj lloj gjërash. Djalli do e shohë se ai nuk preket fare nga këto. Kjo ndodh sepse është relativisht e lehtë për Shpirtin Ndihmës të praktikojë kultivim, sepse ai mund të dijë të vërtetën e gjërave. I dëshpëruar djalli do të bëjë një përpjekje për t’i marrë jetën për hakmarrje dhe me të vërtetë do ta vrasë atë. Me këtë borxhi i tij u ripagua menjëherë. Pas vdekjes, Shpirti Ndihmës do të dalë si shtëllungë tymi e sillet rrotull derisa të ringjallet në një familje shumë të varfër. Fëmija do të fillojë të vuajë që në moshë të hershme. Kur të rritet e maturohet, mjeshtri do të kthehet. Sigurisht, fëmija nuk mund ta njohë atë. Me anë të aftësive supernormale mjeshtri do të çbllokojë kujtesën e tij të ruajtur. Ai do të kujtohet menjëherë për çdo gjë. “A nuk është ky mjeshtri im?” Mjeshtri do t’i thotë: “Tani është koha për të filluar praktikën.” Kështu, pas shumë vitesh mjeshtri do t’i kalojë atij mësimet.

Pas mësimit, mjeshtri përsëri do t’i thotë: “Ti ke akoma shumë dëshira që duhen hequr. Dil e sillu rrotull për ca kohë.” Të sillesh rrotull në shoqëri është mjaft e vështirë. Duhet të lypë për ushqim dhe do të takojë tipa të ndryshëm njerëzish të cilët do ta qortojnë, tallin, apo përfitojnë prej tij. Mund të hasë nga të gjithë llojet e problemeve. Ai do ta trajtojë veten si kultivues dhe do të balancojë mirë marëdhëniet me të tjerët, gjithmonë duke mbajtur dhe përmirësuar karakterin. Nuk do të preket nga tundimet e përfitimeve të ndryshme në mes të njerëzve. Pas shumë vitesh, ai do të kthehet nga sjellja rrotull nëpër botë. Mjeshtri do t’i thotë: “Ti ke arritur tashmë Taon dhe ke përfunduar kultivimin. Po nuk pate gjë për të bërë, mund të bëhesh gati të largohesh. Nëqoftëse ke akoma ndonjë gjë për të bërë, shko e mbaroje atë punë prej njerëzish.” Pas shumë vitesh, Shpirti Ndihmës kthehet. Me t’u kthyer Shpirti Ndihmës, edhe Shpirti Kryesor del nga gjendja e kllapisë dhe personi zgjohet.

Megjithatë ky person në fakt nuk ka praktikuar kultivim. Shpirti Ndihmës i tij ka praktikuar, kështu Shpirti Ndihmës do të marrë gongun. Por edhe Shpirti Kryesor ka vuajtur. Në fund të fundit, personi ja dedikoi gjithë rininë e tij të qëndruarit ulur dhe kjo jetë si njeri i zakonshëm mori fund. Kështu çfarë do të ndodhë? Pasi zgjohet nga kllapia, ky person do ta ndjejë se ai ka zhvilluar gong nëpërmjet praktikës dhe ka marrë aftësi supernormale. Nëqoftëse ai dëshiron të shërojë një pacient apo të bëjë diçka tjetër, ai mund ta bëjë këtë sepse Shpirti Ndihmës do të përpiqet ta kënaqë atë. Sepse ky person është Shpirti Kryesor në fund të fundit dhe Shpirti Kryesor kontrollon trupin dhe merr vendimet. Po ashtu ai ka harxhuar kaq shumë vjet ulur aty sa kjo jetë i iku tashmë. Kur ky person vdes, Shpirti Ndihmës do të largohet. Secili do të shkojë në punë të vet. Sipas Buddhizmit, ky person përsëri do të kalojë nëpër samsara. Meqenëse një Qënie e Shumëlartësuar u kultivua me sukses në trupin e tij, ky person gjithashtu ka grumbulluar shumë virtyt. Kështu çfarë do të bëhet me të? Ai mund të bëhet një zyrtar i lartë apo mund të bëjë shumë pasuri në jetën tjetër. Mund të zgjidhet vetëm kështu. A nuk i shkoi kultivimi kot atij?

Na është dashur neve shumë mundim për të marrë leje dhe shprehur këtë çështje. Unë kam zbuluar misterin shekullor—ai ka qënë sekreti i sekreteve që absolutisht nuk duhej nxjerrë. Kam zbuluar thelbin e të gjitha praktikave të ndryshme të kultivimit në histori. A nuk ju thashë se ka lidhje të thella me historinë. Këto janë arsyet. Mendojeni pak: Cila praktikë apo shkollë nuk praktikon kultivim në këtë mënyrë? Ti praktikon e praktikon por pa marrë gong. A nuk është për të ardhur keq? Kush e ka fajin? Qëniet njerëzore janë kaq të humbura sa ato nuk arrijnë të ndriçohen shpirtërisht pamvarësisht nga sa shenja i jepen. Nëqoftëse diçka shpjegohet nga një pikëvështrim i lartë, atyre do t’u duket e pakonceptueshme. Nëqoftëse diçka shpjegohet nga një pikëvështrim i ulët, ata nuk mund të ndriçohen shpirtërisht për ç’ka është më lart. Edhe pasi e kam shpjeguar kaq qartë, disa njerëz akoma duan që unë t’u shëroj sëmundjet. Unë me të vërtetë nuk di si t’ja u them ndryshe. Ne ju mësojmë praktikë kultivuese dhe ne vetëm mund të kujdesemi për ata që praktikojnë kultivim drejt niveleve të larta.

Në shkollën tonë të praktikës, është Shpirti Kryesor ai që merr gongun. Atëhere a do marrë Shpirti Kryesor gong kur ti thua se e don? Kush e jep lejen? Nuk është ashtu, sepse duhet të plotësohet një kusht. Të gjithë e dinë se shkolla jonë e praktikës nuk i shmanget shoqërisë njerëzore gjatë praktikës kultivuese dhe as i shmanget apo largohet konflikteve. Në këtë mjedis kompleks të njerëzve të zakonshëm, ju duhet të keni mëndje të kthjellët dhe të humbni në interesa me vetëdije. Kur të tjerët ju dëmtojnë interesin personal, ju nuk duhet të shkoni e konkuroni apo luftoni për të si të tjerët. Me ndërhyrje të ndryshme që prekin karakterin, ju do të pësoni humbje. Në këtë ambjent të vështirë, ju do të kalisni vullnetin dhe do të përmirësoni karakterin tuaj. Nën ndikimin e mendimeve të ndryshme të këqija nga njerëzit e zakonshëm, ju do të jeni të aftë të dilni prej saj i paprekur.

Mendojeni pak të gjithë: A nuk jeni ju që vuani me vetëdije? A nuk është Shpirti juaj Kryesor që sakrifikon? Përsa i përket atyre që ti ke humbur në mes të njerëzve, a nuk i ke humbur ti ato me vetëdije? Atëhere ky gong duhet të të takojë ty sepse ai që humb, fiton. Prandaj, kjo është arsyeja që shkolla jonë nuk shmang praktikën kultivuese në këtë ambjent kompleks të njerëzve të zakonshëm. Pse zgjedhim ne të praktikojmë kultivim në një ambjen plot me konflikte njerëzish? Sepse vetë ne do të marrim gong. Praktikuesve profesionistë në tempuj në të ardhmen do t’u duhet të sillen rrotull në mes të njerëzve të zakonshëm.

Disa njerëz pyesin: “A nuk praktikojnë dhe praktikat e tjera në mes të njerëzve tani? Por ato praktika janë për shërim dhe mbajtje të trupit në formë. Askush nuk ka mësuar praktika të vërteta drejt niveleve të larta në publik përveç atyre që marrin privatisht një dishepull të vetëm. Ata që i mësojnë dishepujt me të vërtetë i kanë marrë ata tashmë mënjanë për t’u dhënë mësim privatisht. Gjatë viteve, kush ka folur për këto gjëra në publik? Askush nuk e ka bërë një gjë të tillë. Shkolla jonë e praktikës mëson në këtë mënyrë, sepse kjo është pikërisht mënyra si ne praktikojmë kultivim dhe pikërisht kjo është mënyra si ne marrim gong. Ndërkohë, shkolla jonë e praktikës i jep qindra e mijra gjëra Shpirtit tënd Kryesor që me të vërtetë të të aftësojë ty të marrësh gong vetë. Unë e kam thënë se kam bërë diçka të paparë dhe kam hapur derën më të gjërë. Disa njerëz i kanë kuptuar këto fjalë të miat, sepse ajo që them nuk është aspak e pakonceptueshme. Kam një zakon personal: Nëqoftëse kam një metër dhe ju tregoj vetëm një centimetër, ju prapseprapë mund të thoni se po mburrem, por ajo që kam thënë është në fakt vetëm një pjesëz e vogël. Për shkak të diferencës së madhe në nivele, nuk mund t’ju zbuloj as dhe një pjesë tjetër më të lartë nga Dafa.

Shkolla jonë praktikon kultivim në këtë mënyrë duke ju aftësuar juve vetë të merrni gong me të vërtetë. Kjo është e paparë që nga fillimi i qiellit e tokës—shkoni e kontrolloni historinë. Është e mirë sepse ju do të merrni gong vetë, por është gjithashtu shumë e vështirë. Në mes të ambjentit kompleks të njerëzve të zakonshëm dhe mosmarrëvedhjeve ndërmjet njerëzve, ti do të arrish të ngrihesh mbi të gjitha këto––kjo është gjëja më e vështirë. Është e vështirë sepse ti humb interesat e tua personale me vetëdije në mes të njerëzve të zakonshëm. A prekesh ti kur interesat e tua vetjake më të rëndësishme cënohen? A prekesh ti në mes të prapaskenave të njerëzve? A prekesh ti kur miqtë e familjarët e tu vuajnë? Si i shikon ti këto çështje? Është e vështirë të jesh kultivues! Dikush më tha: “Mësues, mjafton të jesh njeri i mirë në mes të njerëzve të zakonshëm. Kush mund të ketë sukses në kultivim?” Pasi dëgjova këtë, unë u ndjeva me të vërtetë i zhgënjyer! Unë nuk i thashë asnjë fjalë. Ka lloj lloj nivelesh karakteri. Secili kupton aq sa mundet; kushdo që arrin të kuptojë fiton.

Lao Zi pat thënë: “Tao është një shteg që mund të ndiqet, por nuk është një shteg i çfarëdoshëm.” Tao nuk do ishte i çmuar sikur kushdo ta merrte kudo dhe të arrinte të kultivonte me sukses. Shkolla jonë e praktikës të mëson ty si të arrish gong në mes të konflikteve. Prandaj, ne duhet të jemi konform mënyrës së njerëzve të zakonshëm sa më shumë të jetë e mundur. Nga ana materiale, ju nuk do të humbni gjë. Por në këtë ambjent material ju duhet të përmirësoni karakterin tuaj. Prandaj ky ambjent është i përshtatshëm. Shkolla jonë e praktikës është më e përshtatshmja, sepse personi mund të praktikojë në mes të njerëzve në vend që të bëhet murg apo murgeshë. Për shkak të kësaj është dhe më e vështira sepse personi do të praktikojë kultivim në këtë ambjent tepër kompleks të njerëzve të zakonshëm. Por në të njejtën kohë, për shkak të kësaj është dhe mënyra më e mirë sepse e aftëson personin ta mbajë gongun për vete. Kjo është pika më themelore e shkollës sonë të praktikës dhe sot unë e kam zbuluar atë për të gjithë. Sigurisht, kur Shpirti Kryesor merr gong, po ashtu merr dhe Shpirti Ndihmës. Pse ndodh kjo? Kur të gjitha mesazhet, qëniet e gjalla dhe qelizat në trupin tuaj po zhvillojnë gong, sigurisht edhe Shpirti Ndihmës do e merrë atë; megjithatë niveli i tij i gongut nuk do të jetë asnjëherë më i lartë se i juaji. Ti je ai që merr vendimet ndërsa ai është ruajtësi i Ligjit.

Me që ra fjala për këtë, do të doja të shtoja se ka plot njerëz në komunitetin e kultivuesve të cilët gjithmonë janë përkjekur të praktikojnë drejt niveleve të larta. Ata kanë shkuar gjithandej dhe kanë harxhuar gjithë ato para. Megjithatë nuk e kanë gjetur mjeshtrin e njohur që kërkonin edhe pasi kërkuan në të gjithë vendin. Të jesh i njohur nuk do të thotë se me të vërtetë i din gjërat mirë. Në fund të fundit, këta njerëz udhëtuan kudo, duke harxhuan shumë para dhe fuqi për asgjë. Sot po ju njohim me këtë praktikë të jashtëzakonshme. Ja u kam prurë në prag të derës. Varet nga ju nëse mund të praktikoni kultivim dhe në ja arrini atij. Nëqoftëse ju mund ta bëni këtë, atëhere vazhdoni kultivimin. Nëqoftëse nuk mund ta bëni apo nuk mund të praktikoni kultivim, që sot e tutje harrojeni praktikën kultivuese. Përveç djajve që do t’ju mashtrojnë, askush tjetër nuk do t’ju mësojë dhe në të ardhmen nuk do të mund të praktikoni kultivim. Nëqoftëse nuk mund t’ju shpëtoj dot unë, askush tjetër nuk do të mundte. Në fakt, të gjesh një mjeshtër të një praktike të vërtetë që të të mësojë është më e zorshme se sa të ngjitesh në parajsë. Askush nuk kujdeset më për këto gjëra. Në Periudhën e Fund-Dharmës, edhe nivelet shumë të larta janë në periudhën e tyre të fundit. Askush nuk po kujdeset për njerëzit. Kjo është shkolla më e përshtatshme për praktikë. Për më tepër, praktikohet drejtpërdrejt sipas karakteristikës së universit. Është shtegu më i shpejtë dhe më i drejtpërdrejtë dhe e vë theksin pikërisht tek mëndja e njeriut.

Qarku Qiellor

Në Shkollën Tao, mësohen Qarku Qiellor i Madh dhe i Vogël. Le të shpjegojmë çfarë është “qarku qiellor”. Qarku qiellor të cilit i referohemi zakonisht është lidhja e dy kanaleve të energjisë të ren dhe du. Ky qark qiellor është i cekët dhe nuk është për më shumë se shërim dhe mbajtje të trupit në formë. Ky quhet Qarky Qiellor i Vogël. Një tjetër qark qiellor që nuk quhet as “qark qiellor i vogël” dhe as “qark qiellor i madh” është një formë qarku qiellor për të praktikuar kultivim në meditim. Duke filluar brenda trupit, ai shkon rreth niwan dhe ulet poshtë deri në dantian ku kthehet përsëri dhe shkon lart. Ky është një qarkullim i brendshëm. Ky është Qarku i vërtetë Qiellor për të praktikuar kultivim në meditim. Pasi formohet ky qark qiellor, ai do të kthehet në një rrymë energjie shumë të fuqishme e cila pastaj do të vërë në lëvizje qindra kanale energjie nëpërmjet një kanali të vetëm energjie në mënyrë që të hapë të gjitha kanalet e tjera të energjisë. Shkolla Tao mëson Qarkun Qiellor ndërsa Buddhizmi nuk e mëson atë. Çfarë mëson Buddhizmi? Kur Sakyamuni përhapi Dharmën e tij, ai nuk shpjegoi praktikën e ushtrimeve dhe as i mësoi ai ato. Megjithatë praktika e tij ka gjithashtu formën e vet të transformimit në praktikën kultivuese. Si lëviz kanali energjisë në Buddhizëm? Ai fillon nga dhe shkon përmes pikës baihui. Pastaj shkon nga maja e kokës për në pjesën e poshtme të trupit në formë spirale dhe në fund nëpërmjet kësaj metode vë në lëvizje qindra kanale energjie duke i hapur ato.

Kanali qendror i energjisë në fenë Tantrike i shërben gjithashtu këtij qëllimi. Disa thonë se nuk ka kanal qendror energjie. Atëhere si munden njerëzit të zhvillojnë një kanal qendror energjie në fenë Tantrike? Në fakt kur të gjitha kanalet e energjisë në trupin e njeriut mblidhen së bashku, ato numërojnë në mbi dhjetë mijë në numër. Ato ndërthuren vertikalisht dhe horizontalisht tamam si enët e gjakut dhe madje numërojnë më shumë se enët e gjakut; nuk ka enë gjaku ndërmjet organeve të brendshme, por ka kanale energjie. Ato do të lidhen vertikalisht dhe horizontalisht nga maja e kokës deri në pjesët e ndryshme të trupit. Mbase ato nuk janë të drejta në fillim dhe do të hapen me qëllim që të lidhen me të tjerat. Ato pastaj do të zgjerohen gradualisht dhe dalëngadalë formojnë një kanal të drejtë energjie. Ai kanal energjie shërben si bosht dhe duke u rrotulluar vë në lëvizje shumë rrathë konceptualë në rrotullim horizontal. Qëllimi është të hapë të gjitha kanalet e energjisë në trup.

Praktika kultivuese në Falun Dafën tonë shmang përdorimin e kësaj metode të një kanali energjie që vë në lëvizje qindra kanale energjie. Që në fillim, ne kërkojmë që qindra kanale energjie të hapen dhe të bëjnë rrotullime të njëkohshme. Menjëherë ne praktikojmë në një nivel shumë të lartë dhe evitojmë gjërat e një niveli të ulët. Për disa njerëz, që ata të hapin qindra kanale energjie me një kanal të vetëm, edhe një jetë e tërë mund të mos ishte e mjaftueshme. Disa njerëz duhet të praktikojnë kultivim për dekada të tëra dhe kjo është shumë e vështirë. Shumë praktika thonë se një jetë nuk mjafton për t’ja arritur në kultivim, ndërsa ka shumë praktikues në praktika niveli të lartë të cilët mund ta zgjasin jetën e tyre—a nuk flasin ata për kultivimin e jetës? Ata mund ta zgjasin jetën e tyre në mënyrë që të praktikojnë kultivim që do të zgjasë një kohë shumë të gjatë.

Qarku i Vogël Qiellor është në fakt për shërim e mbajtje trupi në formë, ndërsa Qarku i Madh Qiellor është për të praktikuar gong—domethënë kur personi praktikon kultivim me të vërtetë. Qarku i Madh Qiellor që përmendet në Shkollën Tao nuk vjen aq i fuqishëm sa i joni që hap qindra kanale energjie menjëherë. Rrotullimi i Qarkut të Madh Qiellor në Shkollën Tao i referohet asaj kur shumë kanale energjie udhëtojnë nga kanalet Tre Yin dhe Tre Yang të duarve të personit për në tabanin e këmbëve, në të dy këmbët, tek flokët dhe në të gjithë trupin. Ky është Qarku i Madh Qiellor në lëvizje. Sapo Qarku i Madh Qiellor vihet në lëvizje, kjo do të thotë se po praktikon gong. Prandaj, disa mjeshtër qigongu nuk e mësojnë Qarkun e Madh Qiellor sepse ajo që mësojnë ata është vetëm për shërim dhe mbajtje të trupit në formë. Disa njerëz flasin për Qarkun e Madh Qiellor, por ata nuk kanë vendosur ndonjë gjë në trupin tuaj dhe ju nuk mund t’i hapni ato vetë. Pa një sistem të instaluar, si mund të hapen kanalet kollaj duke u mbështetur vetëm në një mendim të qëllimshëm. Është njëlloj si të bësh akrobacira—si mund të hapen ato? Kultivimi varet nga përpjekjet e individit ndërsa transformimi i gongut bëhet nga mjeshtri. Vetëm pasi të është dhënë “mekanizmi” i plotë i brendshëm, mundet  të arrihet ky rezultat.

Historikisht Shkolla Tao e ka konsideruar trupin e njeriut një univers të vogël: Ajo beson se pjesa e jashtme e universit  është aq e madhe sa dhe pjesa e brendshme dhe se pjesa e jashtme duket e njejtë me atë të brendshme. Kjo pikëpamje duket e pakonceptueshme dhe jo aq e lehtë për t’u kuptuar. Ky univers është kaq i madh, si mund të krahasohet ai me një trup njeriu? Po sjellim këtë argument: Fizika e sotme studjon elementet e materies nga molekula, atomi, elektroni, protoni deri tek quarket e neutrinot. Por çfarë grimce është më tutje? Mikroskopi nuk mund ta zbulojë më. Kështu cila do të ishte pjesëza mikroskopike e radhës? Nuk dihet. Në fakt, ajo që kupton fizika jonë sot është kaq larg nga pjesëza më e vogël mikroskopike e universit. Kur dikush nuk ka këtë trup mishi, sytë e tij do të jetë të aftë të shikojnë gjërat me shikim të zmadhuar dhe do të shikojnë nivelin mikroskopik. Sa më i lartë niveli i tij, aq më i madh niveli mikroskopik që ai mund të shikojë.

Në nivelin e tij, Sakyamuni solli teorinë e tre mijë botëve që do të thotë se në Kashtën tonë të Kumtrit gjënden gjithashtu dhe njerëz me trupa prej mishi si ato të racës sonë njerëzore. Ai gjithashtu pat thënë se një grimcë rëre përmban tre mijë botë dhe kjo përputhet me të kuptuarit në fizikën tonë moderne. Cili është ndryshimi ndërmjet rrotullimit të elektronëve që rrotullohen rreth bërthamës dhe asaj të Tokës që rrotullohet rreth diellit? Prandaj, Sakyamuni pat thënë që në nivel mikroskopik, një kokrrizë rëre përmban tre mijë botë. Është pikërisht si një univers me jetë dhe materie brenda. Nëqoftëse kjo është e vërtetë, pa mendoni pak: A ka rërë në botët e kësaj kokrrizë rëre? Atëhere a nuk do të ndodhen tre mijë botë në secilën kokrrizë rëre të asaj rëre? Atëhere a nuk do të ketë rërë edhe në këto tremijë botë brenda secilës kokrrizë rëre të rërës? Është e pafund po të vazhdojmë kështu. Prandaj, edhe kur arriti nivelin e Tathagatës, Sakyamuni pat thënë: “Është kaq i pafund sa nuk ka kufi të jashtëm dhe kaq i vockël sa nuk ka kufi të brendshëm.” Është kaq i pamasë sa ai nuk mund të shihte perimetrin e universit, megjithatë kaq i vockël sa ai nuk mund të dallonte pjesëzën më mikroskopike të origjinës së materies.

Një mjeshtër qigongu pat thënë: “Gjendet një qytet i tërë në një pore trupi me trena dhe makina që lëvizin.” Kjo tingëllon krejt e pakonceptueshme, por ne na duket se ajo nuk është e pakonceptueshme po ta kuptojmë e studjojmë nga perspektiva shkencore. Kur fola për hapjen e Syrit Qiellor, shumë persona gjatë hapjes së Syrit Qiellor patën këtë eksperiencë: Ata panë sikur po vraponin përgjatë një tuneli në ballin e tyre dhe nuk arrinin dot fundin. Çdo ditë gjatë praktikës ata ndjenin sikur po vraponin gjatë një rruge me male dhe lumenj në të dy anët. Ndërsa vraponin ata kalonin përmes qytetesh dhe shikonin plot njerëz dhe mund të kujtonin se ishte vegim. Çfarë po ndodh? Ajo që shikohet është shumë e qartë dhe jo vegim. Unë e kam thënë se nëqoftëse trupi i njeriut është me të vërtetë aq i pafund në nivelin mikroskopik, atëhere nuk është vegim. Shkolla Tao e ka konsideruar gjithmonë trupin e njeriut një univers. Nëqoftëse është me të vërtetë një univers, distanca nga balli deri tek gjendra pineale do të ishte mijra kilometra. Ti mund të turresh drejt daljes por është distancë shumë e largët.

Nëqoftëse Qarku i Madh Qiellor është plotësisht i hapur gjatë periudhës së praktikës kultivuese, do t’i sjellë praktikuesit një aftësi supernormale. Cilën aftësi supernormale? Ju e dini që Qarku i Madh Qiellor quhet gjithashtu “qarku qiellor i meridianit”, “rrotullimiqiankun, ” apo “rrotullimi heche. ” Në nivel të ulët, rrotullimi i Qarkut të Madh Qiellor do të formojë një rrymë energjie e cila gradualisht do të bëhet më e dendur duke u transformuar drejt nivelesh më të larta dhe duke u bërë një brez i gjërë energjie me dendësi të lartë. Ky brez energjie do të bëjë lëvizje rrotulluese. Gjatë rrotullimit, ne mund të shohim me një Sy Qiellor niveli shumë të ulët se ai mund të bëjë që qi-ja të lëvizë nga një vend në tjetrin brenda trupit të personit. Qi-ja e zemrës mund të lëvizë në zorrë apo qi-ja e mëlçisë mund të shkojë në stomak … Në nivel mikroskopik ne mund të shikojmë që ajo që transportohet është diçka shumë e madhe. Nëqoftëse ky brez energjie çlirohet jashtë trupit të personit, atëhere kemi aftësinë e telekinesis: dikush me gong shumë të fuqishëm mund të lëvizë diçka shumë të madhe dhe kjo quhet Telekinesis i Madh; dikush me gong shumë të dobët mund të lëvizë diçka shumë të vogël dhe kjo quhet Telekinesis i Vogël. Këto janë dy tipet e telekinesis dhe si formohen ato.

Qarku i Madh Qiellor lidhet drejtpërdrejt me praktikimin për gong. Kështu, ai sjell gjëndje dhe forma të ndryshme gongu. Gjithashtu do të na sjellë dhe një gjendje shumë të veçantë. Çfarë gjendje? Të gjithë mund ta keni lexuar këtë shprehje të quajtur “ngritje në ajër në mes të ditës” (bairi feisheng) në libra të lashtë si Biografi e të PavdekshmëveLibri i ElikziritKanuni Taoist, apo Udhëzues për të Gjetur Naturën dhe Jetëgjatësinë. Ajo do të thotë që personi mund të ngrihet në ajër në mes të ditës. Në fakt, po ju them se një person mund të ngrihet në ajër me t’ju hapur Qarku i Madh Qiellor—është kaq e thjeshtë. Disa njerëz mendojnë se ka disa njerëz Qarku i Madh Qiellor i të cilëve është hapur pas kaq vitesh praktike. Unë do të thoja se nuk është për t’u habitur që dhjetëra mijra vetë të kenë arritur këtë nivel sepse Qarku i Madh Qiellor është në fund të fundit vetëm hapi fillestar i praktikës kultivuese.

Atëhere, pse nuk i ka parë njeri ata duke u ngritur në ajër apo duke fluturuar? Gjendja e shoqërisë njerëzore nuk mund të prishet dhe as mund të ndërhyhet apo ndryshohet forma e saj sipas dëshirës. Si mund të lejohet që njerëzit  të fluturojnë në ajër? A do të ishte kjo një shoqëri njerëzore? Ky është aspekti kryesor i çështjes. Nga një perspektivë tjetër, qëniet njerëzore nuk jetojnë në mes të njerëzve të zakonshëm për të qenë njerëz, por për t’u kthyer në origjinë, në veten e tyre të vërtetë. Kështu ekziston çështja e ndriçimit shpirtëror për ta kuptuar këtë. Nëqoftëse dikush sheh se me të vërtetë shumë njerëz mund të ngrihen në ajër, edhe ai do të dojë të praktikojë kultivim dhe nuk do të ekzistonte më çështja e zgjimit ndaj kuptimit të saj. Prandaj, nëqoftëse ju mund t’ja arrini të ngriheni në ajër nëpërmjet kultivimit, ju nuk mund t’ja tregoni të tjerëve ashtu shkarazi apo ta demostroni këtë para të tjerëve sepse dhe ata duhet të praktikojnë kultivim. Për pasojë, pasi Qarku juaj i Madh Qiellor hapet, ju nuk do të mund të jeni në gjendje të ngriheni në ajër nëqoftëse maja juaj e gishtit apo gishti këmbës apo ndonjë pjesë tjetër e trupit është kyçur.

Kur Qarku ynë i Madh Qiellor është gati të hapet, një situatë do të ndodhë ku disa njerëz do të përkulen përpara gjatë meditimit ulur. Meqenëse qarkullimi në kurriz është hapur më mirë, kurrizi do të ndjehet shumë më i lehtë ndërsa pjesa e përparme e trupit do të ndjehet e rëndë. Disa njerëz përkulen nga prapa dhe ndjejnë kurrizin të rëndë ndërsa pjesën e përparme të trupit më të lehtë. Nëqoftëse i tërë trupi juaj është hapur mirë, ju do të ndjeni sikur ju ngrejnë lart, sikur ngrihesh në ajër. Kur të ngriheni në ajër me të vërtetë, ju nuk do të lejoheni të ngriheni në ajër. Por kjo nuk është absolute. Ata që zhvillojnë aftësi supernormale janë zakonisht në dy ekstremet: Fëmijët nuk kanë dëshira dhe po ashtu dhe të moshuarit—veçanërisht gratë e moshuara. Ata mund ta zhvillojnë me lehtësi dhe mund ta ruajnë këtë aftësi. Për meshkujt, veçanërisht të rinjtë, me të zhvilluar këtë aftësi ata nuk do të mund ta heqin mëndjen nga të mburrurit. Në të njejtën kohë, ata mund ta përdorin atë si mënyrë për të konkuruar me njerëzit. Kështu ajo nuk lejohet të ekzistojë dhe do të kyçet sapo të zhvillohet gjatë praktikës. Nëqoftëse një pjesë e trupit është kyçur, ky person nuk do të mund të ngrihet në ajër. Kjo nuk do të thotë se ju jeni krejtësisht të ndaluar ta keni këtë aftësi. Ju mund të lejoheni ta provoni atë dhe disa njerëz janë të aftë ta mbajnë.

Këto situata ndodhin sa herë që jap leksione. Kur dhashë një klasë në Shangdon, aty ndodheshin praktikues nga qytetet e Beijing dhe Jinan. Dikush pyeti: “Mësues, çfarë po ndodh me mua? Ndërsa eci, ndjehem sikur po ngihem nga toka. Po ashtu dhe kur fle ndjej sikur po ngrihem në ajër. Edhe mbulesat e krevatit ngrihen lart si balonë”. Kur dhashë një klasë në Guiyang, ishte një praktikuese veterane nga Guizhou e cila ishte grua e moshuar. Ajo kishte dy krevate në dhomën e saj, njëri në një anë të murit dhe tjetri në anën tjetër të murit. Kur ajo ishte ulur në meditim mbi krevat, ajo ndjeu që u ngrit në ajër dhe kur hapi sytë e gjeti veten se kishte kaluar në krevatin tjetër. Ajo mendoi me vete, “Duhet të kthehem tek krevati im,” dhe kështu fluturoi mbrapsht tek krevati tjetër.

Ishte një praktikues në qytetin Qingdao i cili meditonte mbi një krevat gjatë pushimit të drekës kur asnjeri nuk ishte në zyrën e rojes. Sapo ulej aty ai ngrihej dhe lëvizte nja një metër lartësi lart e poshtë me forcë. Ai mund të ulej poshtë pasi ngrihej dhe kjo përsëritej. Mbulesat e krevatit i ranë poshtë. Ai ishte pak i gëzuar dhe paksa i frikësuar. Kjo lëvizje lart e poshtë zgjati gjithë kohën e drekës. Së fundi, zilja ra dhe ai mendoi me vete: “Nuk duhet ta shohin të tjerët këtë. Ata do mendojnë çfarë po ndodh. Duhet të ndaloj menjëherë.” Ai ndaloi. Kjo është arsyeja që ata me moshë të shkuar mund të sillen siç duhet. Nëqoftëse kjo do t’i kishte ndodhur një të riu, kur zilja e zyrës do binte ai do të mendonte: “Hajdeni të gjithë të më shikoni si ngrihem unë në ajër.” Kështu dikush do e kishte të vështirë të kontrollonte mentalitetin e të mburrurit: “Shikoni sa mirë kam praktikuar. Unë mund të ngrihem në ajër.” Sapo ai ta demonstronte, aftësia do t’i ikte sepse nuk lejohet të ekzistojë në këtë mënyrë. Ka plot raste të tilla mes praktikuesve kudo.

Ne duam që qindra kanale energjie të hapen që në fillim. Deri më sot, tetëdhjetë deri nëntëdhjetë përqind e praktikuesve tanë kanë arritur gjendjen ku trupat e tyre janë shumë të lehtë dhe pa sëmundje. Në të njejtën kohë, ne kemi thënë se në këtë klasë ne jo vetëm që ju ngrejmë në gjendjen ku trupi juaj është plotësisht i pastruar, por gjithashtu shumë gjëra ju vendosen në trup në mënyrë që ju të zhvilloni gong në këtë klasë. Është njësoj sikur unë t’ju kem ngritur juve lart dhe pastaj t’ju kem shtyrë përpara. Unë ja kam mësuar Ligjin secilit në këtë klasë dhe gjithashtu karakteri i secilit ka pësuar ndryshim të vazhdueshëm. Kur të dilni jashtë këtij auditori, shumë prej jush do të ndjehen njerëz të ndryshuar dhe pikëpamja juaj për botën është e garantuar që do të ndryshojë. Ju do të dini si të silleni në të ardhmen dhe ju nuk do të jeni si në mjergull si më parë. Është e garantuar që do të jetë kështu. Kështu, edhe karakteri juaj do të arrijë nivelin e trupit.

Meqë po flasim për Qarkun e Madh Qiellor, megjithëse juve nuk ju lejohet të ngriheni në ajër, ju do të ndjeni që trupi juaj është i lehtë sikur qëndron në ajër. Më përpara, ju lodheshit kur ecnit disa hapa, ndërsa tani e keni shumë të lehtë pamvarësisht sa larg ecni. Ju ndjeheni sikur ju shtyn njeri kur jeni me biçikletë dhe nuk jeni i lodhur kur hypni shkallët pamvarësisht sa kate të jenë. Është e sigurtë që do të jetë kështu. Ata që lexojnë këtë libër dhe praktikojnë kultivim vetë gjithashtu do të arrijnë atë nivel që u takon. Unë si person nuk them atë që nuk dua të them, por ajo që them duhet të jetë e vërtetë. Veçanërisht në këto kushte, nëqoftëse unë nuk them të vërtetën kur ju mësoj Ligjin, nëqoftëse bëj deklarata të pakonceptueshme apo nëqoftëse flas kot dhe pa kujdes, unë do t’ju mësoja një Ligj të shtrembër. Nuk është e lehtë që unë ta bëj këtë sepse i gjithë universi po vëzhgon. Nuk lejohet që të ketë devijim.

Një njeri i zakonshëm do të njohë vetëm këtë Qark të Madh Qiellor dhe kjo do të ishte e gjitha. Në fakt, kjo nuk është e mjaftueshme. Në mënyrë që trupi të zëvëndësohet dhe transformohet plotësisht nga materia me energji të lartë sa më shpejt, duhet të jetë dhe një qark tjetër qiellor që vë në lëvizje të gjithë kanalet e energjisë në trupin tuaj. Ky quhet Qarku Qiellor Maoyuo dhe ai me siguri që njihet nga shumë pak njerëz. Ky term përmendet në libra me raste, por askush nuk ja u ka shpjeguar apo treguar juve. Diskutohet vetëm si teori sepse është sekreti i sekreteve. Ne do të zbulojmë çdo gjë mbi të këtu. Ai mund të fillojë nga pika baihui (apo dhe nga pika huiyin) dhe del jashtë duke lëvizur përgjatë kufirit të yin dhe yang. Pastaj lëviz nga veshi poshtë në shpatull, duke shkuar rreth e qark secilit gisht, anës së trupit dhe pastaj zbret poshtë në taban të këmbës. Pastaj ngjitet lart anës së brendshme të njërës kofshë dhe poshtë anës së brendshme të kofshës tjetër duke kaluar përmes tabanit të këmbës tjetër dhe duke u ngjitur lart anës tjetër të trupit. Përsëri lëviz rreth e rrotull secilit gisht dhe arrin majën e kokës duke përfunduar kështu një rreth të plotë. Ky është Qarku Qiellor Maoyou. Të tjerët mund të shkruajnë një libër për të, e unë e përmblodha në pak fjalë. Unë mendoj se nuk duhet të konsiderohet sekret qiellor, megjithatë të tjerët i konsiderojnë këto gjëra shumë të çmuara dhe nuk i diskutojnë ato veçse kur mësojnë dishepujt e tyre. Megjithëse unë e zbulova atë për ju, askush nuk duhet të përdorë mendimin me qëllim që ta udhëheqë apo kontrollojë atë gjatë praktikës. Nëqoftëse e bëni këtë, ju nuk po praktikoni Falun Dafën tonë. Praktika e vërtetë drejt niveleve të larta kryhet në gjendje wuwei dhe e çliruar nga çdo aktivitet mendor. Çdo gjë është e instaluar në trupin tuaj e gatshme. Ato formohen automatikisht dhe këto mekanizma të brendshëm ju kultivojnë; ato do të bëjnë rrotullime automatike kur t’ju vijë koha. Një ditë gjatë praktikës, koka juaj mund të shkojë nga një anë në tjetrën. Nëqoftëse koka juaj shkon në këtë anë, po rrotullohet në atë anë. Nëqoftëse koka lëkundet në anën tjetër, po rrotullohet në atë anë. Rrotullohet në të dyja anët.

Kur hapen Qarku i Madh apo i Vogël Qiellor, koka e personit do të ulet përpara gjatë meditimit ulur dhe kjo është shenjë që po kalon energji. E njejta gjë është e vërtetë me Qarkun Qiellor Falun që praktikojmë ne; ne thjesht praktikojmë në këtë mënyrë. Në fakt, kur ju nuk po praktikoni, ai rrotullohet vetë. Do të rrotullohet vazhdimisht përgjithmonë; kur ju praktikoni, ju përforconi mekanizmat. A nuk kemi thënë ne që Ligji kultivon praktikuesit? Normalisht, ju do të zbuloni se Qarku juaj Qiellor është gjithmonë në rrotullim. Megjithëse ju nuk jeni duke praktikuar, një radhë mekanizmash energjie të instaluara jashtë trupit tuaj, domethënë një radhë kanalesh të gjërë të jashtëm po e vënë trupin tuaj në praktikë—është e tëra automatike. Gjithashtu mund të rrotullohet në anë të kundërt sepse rrotullohet nga të dyja anët dhe është vazhdimisht duke hapur kanalet e tua të energjisë.

Kështu cili është qëllimi i hapjes së Qarqeve Qiellorë? Hapja e Qarqeve Qiellorë nuk është qëllimi i praktikës. Edhe pasi hapet Qarku juaj Qiellor, unë do të  thoja se përsëri nuk është asgjë. Nëse praktika e personit vazhdon më tutje, nëpërmjet metodës së hapjes së Qarkut Qiellor synohet që të hapen qindra kanale energjie nëpërmjet një kanali energjie dhe kështu personi mund të hapë të gjitha kanalet e energjisë së trupit. Ne kemi filluar tashmë ta bëjmë këtë. Me praktikë të mëtejshme personi do të zbulojë se me rrotullimin e Qarkut të Madh Qiellor kanalet e energjisë do të bëhen të gjëra sa një gisht dhe mjaft të gjërë brenda. Meqenëse edhe energjia është bërë shumë e fuqishme, pasi të formohet rryma e energjisë, ato do të bëhen shumë Të gjërë dhe të ndritshëm. Kjo akoma nuk është ndonjë gjë e madhe. Kur do të jetë praktika optimale? Kur qindra kanale energjie të personit gradualisht bëhen më të gjëra, me energji që bëhet gjithmonë e më e fortë dhe më e ndritshme. Së fundi, mijra kanale energjie do të bashkohen me njeri tjetrin dhe do e kthejnë trupin e personit në një që nuk ka më kanale energjie apo pika akupunkture; ato do të bashkohen së bashku për të formuar një trup të plotë. Ky është qëllimi final në hapjen e kanaleve të energjisë. Qëllimi është të transformohet trupi njeriut plotësisht nga materia me energji të lartë.

Në këtë pikë, trupi i personit do të transformohet nga materie prej energjie të lartë. Me fjalë të tjera, personi ka arritur nivelin më të lartë në kultivimin e Ligjit-Në-Botën-Trefishe. Trupi njerëzor prej mishi do të jetë kultivuar në pikën përfundimtare. Në këtë kohë, personi do të kalojë në një gjendje tjetër. Çfarë gjendjeje? Ky person do të ketë zhvilluar gong shumë të pasur. Në kultivimin e trupit apo gjatë kultivimit në Ligjin-Në-Botën-Trefishe, të gjitha aftësitë supernormale e çdo gjë tjetër do të zhvillohen. Megjithatë, në praktikën në mes të njerëzve, shumica e tyre janë të kyçura. Po ashtu, kolona e gongut të personit do të jetë rritur shumë lart. Të gjitha format e gongut do të përforcohen nga gongu i plotfuqishëm duke u bërë akoma më të fuqishme. Megjithatë ato mund të funksionojnë në këtë dimensionin tonë dhe nuk mund të veprojnë mbi asgjë në dimensione të tjera ngaqë janë aftësi supernormale të kultivuara nga trupat tanë njerëzorë. Pamvarësisht nga kjo ato do të jenë shumë të pasura. Në dimensione të ndryshme dhe përsa i përket formave të trupit në dimensione të ndryshme, do të ketë plot ndryshime. Gjërat që mbart ky trup në çdo nivel të dimensioneve do të jenë tepër reale dhe duken shumë të frikshme. Disa njerëz kanë sy në gjithë trupin dhe të gjitha poret e djersës në trup do të kthehen në sy. Do të ketë sy brenda gjithë fushës dimensionale të personit. Meqenëse është gong nga Shkolla e Buddhës, disa njerëz do të kenë pamjen e Bodhisattvës apo Buddhës mbi gjithë trupin. Të gjitha format e gongut do të kenë arritur shkallë të konsiderueshme. Po ashtu, shumë qënie të gjalla do të shfaqen.

Në këtë kohë, do të shfaqet një gjendje e quajtur “tre lule mbi kokë”. Është një gjendje shumë e dukshme dhe gjithashtu është diçka që nuk mund t’i shpëtojë syrit. Mund të shihet dhe me Sy Qiellor të nivelit të ulët. Personi do të ketë tre lule mbi kokë. Njëra është lule lotusi por nuk është lotusi në dimesionin tonë fizik. Dy lulet e tjera gjithashtu janë nga një dimension tjetër dhe janë jashtëzakonisht të bukura. Këto tre lule rrotullohen me radhë mbi kokë. Ato do të rrotullohen në drejtim të akrepave të orës dhe në drejtim të kundërt të akrepave dhe po ashtu secila lule rrotullohet rreth vetes. Secila lule do të ketë një bosht të madh të gjërë sa dhe diametri i lules. Këto tre boshte arrijnë deri lart në qiell, por ato nuk janë kolona gongu. Ato janë thjesht në këtë formë dhe janë jashtëzakonisht të mrekullueshme. Sikur ti shihnit, ju do të mbeteshin gjithashtu të mahnitur. Kur kultivimi i dikujt arrin këtë shkallë, trupi i personit do të jetë i bardhë dhe i pastërt dhe lëkura do t’i bëhet e lëmuar dhe delikate. Në këtë kohë, personi do të ketë arritur formën me të lartë të kultivimit në Ligjin-Në-Botën-Trefishe, megjithatë kjo nuk është shkalla përfundimtare. Personi duhet të vazhdojë akoma të praktikojë kultivim dhe të përparojë.

Ndërsa ai përparon, ai do të hyjë në nivelin e ndërmjetëm midis Ligjit-Në-Botën-Trefishe dhe Ligjit-Përtej-Botës-Trefishe të quajtur Trup i Tej Pastërt (gjithashtu i njohur si “trup si kristal”). Kur kultivimi i trupit fizik ka arritur formën më të lartë të Ligjit-Në-Botën-Trefishe, kjo do të thotë se vetëm trupi mishtor njerëzor është transformuar në formën më të lartë. Kur i gjithë trupi është me të vërtetë në këtë formë, ai është plotësisht i përbërë prej lënde energjie të lartë. Pse quhet ai Trup i Tej Pastërt? Sepse ky trup ka arritur tashmë pastërtinë absolute të shkallës më të lartë. Kur shihet me Syrin Qiellor, i gjithë trupi është transparent—tamam si qelq transparent. Kur e shikon nuk ka asgjë dhe ekziston në këtë mënyrë. Ta themi thjesht, ky trup është tashmë një trup Buddhe. Kjo ndodh ngaqë trupi i përbërë nga lëndë energjie të lartë është i ndryshëm nga trupat tanë fizikë. Në këtë kohë të gjitha aftësitë supernormale dhe cilësitë mbinatyrale do të braktisen menjëherë. Ato do të vendosen në një dimension shumë të thellë, sepse janë të pavlefshme dhe nuk shërbejnë më për ndonjë funksion. Një ditë, në të ardhmen, kur ju të keni arritur sukses në kultivim, ju mund t’i hidhni një sy të kaluarës dhe rishikoni udhën tuaj të praktikës kultivuese duke i nxjerrë ato jashtë për t’i parë. Në këtë kohë vetëm dy gjëra do të mbeten: Kolona gongut është akoma aty dhe Foshnja e Pavdekshme e kultivuar do të jetë rritur dhe bërë shumë e madhe. Megjithatë të dyja këto ekzistojnë në një dimension të thellë që nuk mund të shikohet nga njeri me Sy Qiellor të nivelit mesatar. E vetmja gjë që dikush mund të shohë është se trupi i këtij personi është transparent.

Meqenëse shkalla e Trupit të Tej Pastërt ështe vetëm një nivel i përkohshëm, me praktikë kultivuese të mëtejshme personi do të fillojë me të vërtetë kultivimin në Ligjin-Përtej-Botës-Trefishe i njohur gjithashtu si kultivim i një Trup-Buddhe. I tërë trupi do të jetë i përbërë prej gongu. Tashmë karakteri i personit do të jetë bërë i qëndrueshëm. Ai do të fillojë të praktikojë kultivim nga fillimi dhe do të zhvillojë nga e para aftësitë supernormale që nuk duhet të quhen më “aftësi supernormale.” Ato duhet të quhen “fuqi hyjnore të Ligjit të Buddhës”, sepse ato mund të veprojnë në të gjitha dimensionet me fuqinë e tyre të pakufishme. Ndërsa ju vazhdoni të praktikoni kultivim në të ardhmen, ju vetë do të dini gjëra të niveleve të larta, si të praktikoni kultivim dhe format e ekzistencës së praktikës kultivuese.

Vesi i Zellit të Tepruar

Unë do të trajtoj një çështje, atë të vesit të zellit të tepruar. Shumë njerëz kanë praktikuar qigong për një kohë shumë të gjatë. Ka gjithashtu njerëz që nuk kanë praktikuar kurrë, por që kanë kërkuar dhe janë munduar të kuptojnë të vërtetën dhe kuptimin e jetës njerëzore. Sapo ata mësojnë Falun Dafën tonë, ata do të kuptojnë menjëherë shumë pyetje në jetë që kishin dashur t’i kuptonin por që nuk mund t’i përgjigjeshin. Mbase me përmirësimin e mëndjes ata do të entuziazmohen së tepërmi—kjo me siguri që do të ndodhë. Unë e di që një praktikues i vërtetë do t’ja dijë rëndësinë dhe do ta vlerësojë atë. Megjithatë shpesh një problem ndodh: Për shkak të gëzimit njerëzor, personi do të zhvillojë zell të tepruar të panevojshëm. Kjo bën që ai të sillet anormal në veprimet e tij, në lidhje me të tjerët në shoqëri, apo në ambjentin e shoqërisë njerëzore. Unë them se kjo është e papranueshme.

Shumica e njerëzve në shkollën tonë do të praktikojnë kultivim në shoqërinë normale njerëzore, kështu ju nuk duhet ta distanconi veten nga shoqëria njerëzore dhe ju duhet të praktikoni kultivim me mëndje të kthjellët. Marëdhëniet me njeri tjetrin duhet të mbeten normale. Sigurisht, ju keni një nivel karakteri shumë të lartë dhe nje mëndje të ndershme. Ju do të përmirësoni karakterin dhe nivelin tuaj; ju nuk kryeni vepra të këqija dhe vetëm kryeni vepra të mira— ju duhet të jeni kështu. Disa njerëz sillen sikur ose janë mendërisht anormalë apo sikur i kanë parë të gjitha në këtë botë. Ata thonë gjëra që të tjerët nuk i kuptojnë. Të tjerët do thonë: “Si ka mundësi që një njeri që mëson Falun Dafën bëhet kështu? Duket se ka ndonjë problem mendor.” Në fakt nuk është kështu. Ai është thjesht tepër i entuziazmuar dhe kështu duket irracional dhe nuk vepron si normal. Mendojeni pak të gjithë: Të vepruarit kështu është gjithashtu i gabuar dhe ju keni shkuar në ekstremin tjetër—është prapseprap një ves. Ju duhet të hiqni dorë dhe të praktikoni kultivim ndërsa jetoni normalisht si gjithë të tjerët në mes të njerëzve. Nëqoftëse njerëzit e tjerët ju konsiderojnë të marrosur, ata nuk do të merren me ju dhe do t’ju qëndrojnë larg. Askush nuk do t’ju japë mundësi për të përmirësuar karakterin dhe as do t’ju trajtojnë si njeri normal. Unë do të thoja se kjo nuk është e pranueshme! Prandaj, secili duhet të sigurohet dhe të ketë mëndjen ndaj kësaj çështjeje dhe të sillet mirë.

Praktika jonë nuk është si praktikat e zakonshme që e bëjnë personin të humbë mëndjen, të bie në kllapi, apo të obsesohet. Praktika jonë kërkon që ju të kultivoni veten me vetëdije të plotë. Dikush më thosh gjithmonë: “Mësues, sapo mbydh sytë trupi fillon më kolovitet.” Unë do të thoja se nuk është e thënë të jetë kështu. Ti ke zhvilluar zakonin e braktisjes së Ndërgjegjes Kryesore. Sapo mbydh sytë ti do e vësh Ndërgjegjen Kryesore në gjumë dhe ajo do të zhduket. Ti ke zhvilluar tashmë këtë zakon. Ndërsa rrin ulur këtu, pse nuk kolovitet trupi jot? Kur ti mban gjendjen e njejtë me atë kur i ke sytë të hapura, a do të kolovitet trupi jot me sytë paksa të mbydhur? Jo aspak. Ti mendon se qigongu duhet të praktikohet në këtë mënyrë dhe ke formuar këtë koncept. Me të mbydhur sytë, ti do të zhdukesh pa e ditur se ku ndodhesh. Ne kemi thënë se Ndërgjegja juaj Kryesore duhet të jetë e vetëdijshme, sepse kjo praktikë kultivon veten tënde. Ju duhet të përparoni me mëndje të vetëdijshme. Ne gjithashtu kemi dhe një ushtrim meditimi. Si praktikojmë ne meditim? Ne kërkojmë nga secili që pamvarësisht nga sa thellë që meditoni, ju duhet të dini që jeni ju duke praktikuar aty. Ju jeni absolutisht të ndaluar të bini në një gjendje kllapie ku nuk dini asgjë. Më pas çfarë gjendje e veçantë do të shfaqet? Ndësa rrini i ulur aty, ju duhet të jeni në një gjendje të mrekullueshme dhe shumë të rehatshme sikur jeni ulur brenda një veze; ju do të jeni të vetëdijshëm se ju po praktikoni ushtrimet, por ndjeni se gjithë trupi nuk mund të lëvizë. Kjo duhet të ndodhë në praktikën tonë. Ka dhe një gjendje tjetër, ku ndërsa personi rrin ulur në meditim për ca kohë, atij i duket sikur i kanë ikur këmbët dhe nuk mund të mendojë dot se ku i shkuan; trupi gjithashtu i ikën; krahët i ikën; po ashtu dhe duart—mbetet vetëm koka. Ndërsa ai vazhdon praktikën, ai sheh se dhe koka i ikën duke lënë vetëm mëndjen e tij dhe pak vetëdije se ai po praktikon aty. Është e mjaftueshme nëqoftëse ju mund të arrini këtë gjendje. Pse? Kur dikush praktikon në këtë gjendje, trupi po i transformohet plotësisht dhe është gjendja më optimale. Kështu ne kërkojmë që ju të arrini këtë gjendje qetësie. Por ju nuk duhet të bini në gjumë apo të humbisni ndërgjegjen, përmdryshe dikush tjetër po i praktikon gjërat e mira.

Të gjithë praktikuesit tanë duhet të sigurohen që të mos sillen kurrë anormal mes njerëzve. Nëqoftëse jep shembull të keq në mes njerëzve, të tjerët mund të thonë: “Pse njerëzit që mësojnë Falun Dafën sillen të gjithë kështu?” Është njësoj sikur të sabotosh emrin e Falun Dafës, kështu sigurohuni t’i kushtoni vëmendje kësaj çështjeje. Në çdo gjë dhe gjatë praktikës kultivuese secili duhet të sigurohet që të mos zhvillojë vesin e zellit të tepruar. Ky mentalitet mund të shfrytëzohet me lehtësi nga djajt.

Kultivimi i të Folurit

Kultivimi i të folurit kërkohej dhe nga fetë në të kaluarën. Megjithatë, kultivimi i të folurit që kërkonin fetë i përkiste kryesisht disa praktikuesve profesionistë—murgjëve Buddhistë dhe Taoistë të cilët nuk do e hapnin gojën për të folur. Meqenëse ishin praktikues profesionistë, ata donin të braktisnin dëshirat njerëzore në një shkallë më të madhe. Ata besonin se me të krijuar një mendim, ai është karmë. Fetë e kanë klasifikuar karmën si “karmë të mirë” dhe “karmë mëkatare”. Pamvarësisht në është karmë e mirë apo mëkatare, si nga pikëpamja e zbrazëtisë në Shkollën e Buddhës apo të asgjësë që mësohet nga Shkolla Tao, karma nuk duhet të krijohet. Prandaj, ata thonin se nuk do të bënin asgjë meqenëse nuk mund të shikonin lidhjet karmike të gjërave, domethënë, nëse gjërat ishin të mira apo të këqija, apo çfarë lidhje karmike ekzistonte diku. Një praktikues i zakonshëm i cili nuk ka arritur ndonjë nivel të lartë nuk mund t’i shikojë këto gjëra, kështu ai do të kishte frikë se megjithëse diçka dukej e mirë në sipërfaqe, ajo mund të ishte diçka e keqe kur bëhej. Prandaj, personi duhet të bëjë çmos të praktikojë wuwei dhe të mos bëj asgjë në mënyrë që të evitojë prodhimin e karmës. Kjo ndodh sepse me t’u prodhuar karmë, ai duhet ta eliminojë atë dhe të vuajë për të. Për shembull, për praktikuesit tanë është e paracaktuar në cilin nivel do të arrijnë lartësimin shpirtëror. Nëqoftëse ju pa qenë nevoja fusni diçka në mes të rrugës së kultivimit, ajo do të shkaktojë vështirësi për gjithë praktikën tuaj kultivuese. Kështu personi praktikon wuwei.

Kur Shkolla Buddhës kërkon kultivimin e të folurit, do të thotë që të folurit e personit kontrollohet nga mëndja e tij dhe për pasojë të menduarit e personit ka qëllime. Nëqoftëse mëndja e dikujt dëshiron të mendojë sado pak, shprehë diçka, bëjë diçka apo të drejtojë organet e shqisave dhe katër gjymtyrët, kjo mund të përbëjë një dëshirë njerëzore. Për shembull, ekzistojnë konflikte mes njeri tjetrit, si “ti je i mirë, ndërsa ai nuk është”, apo “kultivimi jot është i mirë, por i tij nuk është”. Këto janë konflikte. Le të flasim për diçka që është e zakonshme, si “Unë dua të bëj këtë apo atë gjë”, apo “kjo gjë duhet të bëhet tani në këtë mënyrë apo atë mënyrë.” Mbase pa dashje ajo do të dëmtojë dikë. Meqenëse konfliktet ndërpersonale janë të gjitha shumë të ndërlikuara, personi mund të prodhojë karmë pa dashje. Si pasojë, ai do ta mbyllë gojën plotësisht dhe nuk do të thotë asgjë. Në të kaluarën, fetë e trajtonin kultivimin e të folurit si diçka shumë serioze dhe kjo është ajo që mësonin ato.

Shumica e praktikuesve tanë të Falun Dafës (domethënë përveç atyre praktikuesve profesionistë) praktikojnë kultivim në mes të njerëzve. Për pasojë ata nuk mund të evitojnë të bëjnë një jetë normale në shoqërinë njerëzore dhe të ndërveprojnë me shoqërinë. Secili ka një punë dhe duhet ta bëjë atë mirë. Disa njerëz duhet ta kryejnë punën nëpërmjet të folurit. Pra a nuk është ky një konflikt? Nuk përbën ndonjë konflikt. Pse jo? Kultivimi i të folurit që i referohemi ne është shumë i ndryshëm nga ai i të tjerëve. Për shkak të dallimeve në mënyrat e kultivimit dhe kërkesat janë të ndryshme. Ne duhet të gjithë të flasim sipas karakterit të një praktikuesi në vend që të krijojmë konflikte apo themi diçka të papërshtatshme. Si kultivues, ne duhet ta masim veten me standartin e Ligjit për të përcaktuar nëse duhet të themi diçka. Ajo që do të thuhet nuk do të sjellë probleme nëse personi është në përputhje me standartin e karakterit për një kultivues në përputhje me Ligjin. Po ashtu, ne duhet të flasim për të përhapur Ligjin, kështu është e pamundur të mos flasim. Kultivimi i të folurit që mësojmë ne i referohet: asaj që lidhet me famën dhe përfitimin personal të personit nga e cila ai nuk don të heqë dorë ndërsa është në shoqërinë njerëzore; ajo e cila nuk ka të bëjë aspak me punën aktuale të praktikuesve në shoqëri; thashethemet pa bazë në mes të praktikuesve në të njejtën shkollë kultivimi; dëshirat që e bëjnë dikë të mburret; shpërndarja e asaj që dëgjohet apo e thashethemeve; apo ato diskutime në rrethe shoqërore që e ngacmojnë personin. Unë them se të gjitha këto janë dëshira të njerëzve të zakonshëm. Unë mendoj se në këto raste ne duhet të kemi kujdes çfarë themi—ky do të thotë kultivim i të folurit për të cilin ne flasim. Murgjit në të kaluarën i merrnin këto gjëra shumë seriozisht sepse sapo dikush fillonte të mendonte ai do të krijonte karmë. Prandaj, ata kultivonin “trupin, të folurin dhe mëndjen”. Kultivimi i trupit për të cilin flisnin ata do të thoshte që dikush nuk duhej të kryente vepra të liga. Kultivimi i të folurit do të thoshte që dikush nuk do të fliste. Kultivim i mëndjes do të thoshte që ai as dhe nuk do të mendonte. Në të kaluarën, kishte kërkesa të rrepta për këto gjëra në kultivimin profesionist në tempuj. Ne duhet të sillemi sipas standartit të karakterit të një kultivuesi. Duhet të jemi në rregull për aq kohë sa ne kuptojmë çfarë duhet e çfarë nuk duhet thënë.


bigu—një term i lashtë që do të thotë të heqësh dorë nga ushqimi dhe uji.

Trup Qumësht i Bardhë—një trup i pastruar pa qi.

tianzi zhuang—një formë ushtrimi qigongu në këmbë në Shkollën Tao.

baihui—pikë akupunkture në majë të kokës.

poligraf—aparat që përdoret për të zbuluar vërtetësinë e thënieve të personit që i nënshtrohet testit.

shishen—një term Taoist për Shpirtin Kryesor të personit.

Lu Dongbin—një nga Tetë Shenjtorët në Shkollën Tao.

kanale energjie—në mjekësinë kineze thuhet se ato janë përçues të qi-së dhe formojnë një rrjet kompleks për qarkullimin e energjisë.

 Tre Yin dhe Tre Yang—një emër për meridianët tre yin dhe tre yang të duarve dhe të këmbëve.

qiankun—“qiell dhe tokë.”

heche—“mjet lumi.”

 maoyou—kufiri ndarës ndërmjet anëve të yin dhe yang të trupit.

Trup i Tej Pastërt—trup transparent në nivelin më të lartë të kultivimit në Ligj-Në-Botën-Trefishe.